onsdag 25 november 2009

EKZILI I POETIT RIZAH SHEQIRI: GJITHË BOTA E VOGËL PËR ÇERDHEN E TIJ

Shtator i 2006-tës. Në fund të një qosheje pi kafe me poetin Riza Sheqiri. Ndodhemi në panairin ndërkombëtar të librit në Göteborg (Jëteborj) që për çdo vit mbahet nga fundi i muajit shtator. Pallati suedez i panaireve gumëzhinë nga vizitorët e shumtë. Edhe nga ekspozuesit e shumtë e prej shumë vendeve të botës.

Flasim për librin shqip. Në vitet e kaluara libri shqip prezentohej më mirë, jo aq denjësisht, por më mirë se sot i them shkrimtarit Rizah Sheqiri. Ai pajtohet me këtë dhe shtron çështjen e lexuesit. Lexuesi shqiptar në Suedi nuk është as aktiv as i madh, thot ai. Shkaqet pse është kështu mund të jen nga më të ndryshmet. Ndoshta është edhe e kundërta e kësaj, gjë që do të më gëzonte shumë, shprehet poeti.

Biseda rrjedh në mënyrë të paorganizuar, ashtu siç mund të flas njeriu në një ambient plot lëvizje, përshpëritje dhe në një bar të improvizuar. Flasim për të pastrehët, për mallin e zërave që na mungojnë e si kemi pranë, për mungesën e aromës së vendlindjes, për bollëkun e perëndimit dhe mungesën e shijës, për natyrën dhe ritet në vendlindje...

- Këte e kam vrejtur edhe te njerëzit e tjerë të botës që kanë ardhë në Suedi. Pa marrë parasysh se nga cili vend vijnë, pa marrë parasysh ngjyrat që bartin, pa marrë parasyh religjinoet që u përkasin, qofshin ata çifut, mysliman, të krishterë apo ateist, qofshin edhe të ideologjive kapitaliste apo socialiste, të gjithëve njësoj ju mungon vendlindja, thot Rizah Sheqiri.

Picërron sytë, pastaj ngul shikimin dikund e më kthehet:

- Janë të shumtë ata që krijuan në mërgim, pa dëshirën e tyre. Një poete gjermane, Rainer Maria Rilke, ekzilin e shënonte si diçka që të “vyshkë” ose të “mugullon”.

Ndërkaq poeti Rizah Sheqiri kështu do të tregoi në poezinë “Lotët ma kallin shpirtin”:

“Kur u ndava nga i dashuri atdhe,
më mirë të hyja i gjallë në dhe...”


Ne vazhdojmë të flasim për “vyshkjen” dhe “mugullimin” e shkrimtarit në ekzil. Unë mendoj se Rizah Sheqiri ka mugulluar, i them atij, kurse ai qesh:

- Mugullimi apo lulëzimi i shkrimtarit në ekzil mbase motivohet nga estetika e dhembjes. Çka do t´ishte civilizimi i sotëm pa shkrimtarët e ekzilit? Pa Homerin, Virgjilin, Euripidin, Danten Hygon, Singerin, ose pa Müllerin, Adonisin, Kadarenë....Shkrimtarët në ekzil hapën hapsira të reja që as i takojnë vendit të tyre të lindjes as të riut por që prap janë me tone të vendlindjes dhe të vendit të ri.. Janë diçka si i quajti Salman Rushdie si “ imaginary homelands”.

Distanca nga vendlindja ashtu si dhe dhembja e braktisjes së vendit e ka bërë të mprehtë vrojtimin artistik të shkrimtarve në mërgim. Suedia është bërë sigurisht edhe për Rizën një mënyrë e të jetuarit, ku mënyrat e vjetra lëshojnë pe dhe ku tani kultura lokale vazhdon të ngritet në univerziale duke qenë e ndihmuar nga besime e grupime të reja.

- I ndodhur në ekzil, shkrimtari, artisti, poeti, nuk ka çka humb. Ai lirohet tani nga cenzura dhe autocenzura. Artisti bëhet një lloj vendi në vetvete. Dhe në këtë vend të ri, të sapokrijuar, ai duhet të përdorë gjuhën amtare por edhe të vendit mikpritës. Me gjuhën amtare njeriu shpreh më lehtë të vërtetën. Por ka shumë shembuj që shkrimtarë të ndryshëm i shkruajtën veprat e tyre më brilante në gjuhë të huaja, si Samuel Beckett, Milan Kundera, Emil Cioran e ndonjë tjetër.

Rizah Sheqiri rëndom shkruan në gjuhë amtare, por viteve të fundit edhe suedisht. Poezia e tij prek fuqishëm identitetin në rrjedhën e pandalshme, jostatike.

Shtërngata një degëz nga trungu e shkuli
era e mori dhe larg larg e shpuri
degëzshkreta pranë një trungu tjetër vend zuri
e trungu edhe pse mbeti në erë

degë e degëza i përtriu përherë
trung i plandosur sërish përparoi

pas shtrëngatës me gjelbërim plagët i mbëltoi
po degëza e këputur kurrë nuk gjethoi.

Ndaj pa dëshirën tonë, Rizai të zhpërngulë virtualisht në një atdhe të përbashkët, në një truall të vlerave univerzale ku dashuria është alfa dhe omega e kësaj bote.Sepse

Rrugëve
në botë i pa botë

dhembjeve
në jetë i pa jetë

plot dashuri
edhe në varr i pavarr

në këngë
pafundësisht - shtegtar!

Kumbojnë përjetësisht mesazhe si këto që shkrimtari Rizah Sheqiri i hedh në çdo varg poetik. Ai portreton më bukur sa s´bën psikologjinë dhe mungesën e orientimit shoqëror të mërgimtarit, shtegtarit.

Mërgimtari i Rizah Sheqirit mban vendlindjen ngryk, ashtu si jetimi fëminë e parë. Megjithëse

Atje i dhunuar i ndjekur nga shtëpia
këtu i përbuzur i huaj pa shtëpi
armik i rrugëve - rrugët në sy
gjithë bota e vogël për çerdhen e tij.

Krijimtaria e Rizah Sheqirit lirisht mund të kualifikohet si pasqyrim kolorit i betejës njerëzore për identitet. Me fjalët jo të zgjedhura, por me fjalët që burojnë nga zemra dhe mendja kërkon të gjej vend për identitet në një botë me lidhje dhe vartësi gjithnjë e më të mëdha globale. Si mund të na ndihmojë fjala dhe arti që të orientohemi më lehtë në një kohë dezorientimi të përgjithshëm?

“...po vrapove
kujdes
mund të rrëzohesh
mbahu mirë për toke...” (Amaneti)

Për Rizah Sheqirin, identiteti në ekzil është si një lloj plage e hapur. Poeti vazhdon të jetojë me këtë plagë që s´ka shërim. Të jetosh në ekzil do të thot gjithashtu të jetosh me ëndërren e përhershme për tu kthyer nga ke ardhë.

"Kur merr rrugën e kurbetit,
varrin hapur gjithëmonë e ke,
medet për atë njeri,
që s´ka vend për varr në atdhe”.


Dhe kur ai nuk do të mund të kthehet poeti prap gjen zgjidhje: “ Nënë po e puth diellin në faqe e ti puthe të puthurën time...”


Janë dy kategori artistike që dallojnë poezinë e Rizah Sheqirit: distanca dhe afërsia. Loja artistike e këtyre dy kategorive është e mundimshme por poeti lojën e mbyll gëzueshëm se “ e munda edhe një natë” thot ai tek vjersha “Edhe një natë pa gjumë”.

Me krijimtarinë e tij, Rizah Sheqiri ndërtoi në Suedi një “ambasadë artistike” të vendit të tij të prejardhjes; një ambasadë të “fluturave në erë”, për ata që “zgjohen të huaj” por që s´mashtrohen sepse “ dashurojmë e dashurojmë, dhe do të fitojmë. Jeta na ka mësuar, vetëm dashuria është e amshuar”.


Nga biografia e shkrimtarit Rizah Sheqiri

Rizah SHEQIRI u lind më 12 janar 1961 në Brainë, ku e kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe Fakultetin Filologjik - Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe i kreu në Prishtinë. Që nga bankat e shkollës së mesme nisi të shkruajë dhe të bashkëpunojë me revistat dhe gazetat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe më gjerë. Një kohë bashkëpunoi edhe me programin arsimor të Radio Prishtinës deri më 15 qershor të vitit 1983 kur u pranua si gazetar i rregullt në këtë institucion informativ. Shtatë vjet punoi në Radio - Prishtinë, në Programin Kulturor Artistik Arsimor, ku realizoi një varg emisionesh kulturore, artistike, arsimore dhe për fëmijë. Në radio iu realizuan një varg radioskenash. Shkroi edhe mbi dyzet tekste të këngëve për fëmijë, të zhanrit popullor dhe argëtues. Disa prej të cilave u bënë aq të dashura sa që këndohen me ëndje edhe sot nga grupmosha të ndryshme si p.sh "Vallja popullore" që rrallë ndonjë shqiptar të mos dijë ta këndojë.

Rizah Sheqiri shkruan prozë dhe poezi për të rritur dhe për fëmijë. Pos me gazetën "Rilindja" bashkëpunoi pandërprerë edhe me revistat për fëmijë "Gazeta e Pionierëve", "Pionieri" pastaj me "Gëzimin" dhe "Fatosin" e Shkupit, etj. Ishte bashkëpunëtor edhe i revistës për çështje arsimore "Shkëndija" me të cilën bashkëpunimin e intensifikoi sidomos pas largimit të tij nga dhuna policore serbe nga RTP-ja. Në periodikun shqiptar në Kosovë dhe më gjerë ka botuar një numër të madh krijimesh letrare të të gjitha gjinive dhe ka fituar një varg shpërblimesh në konkurset letrare.

Disa nga punimet e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, italiane, turke, angleze,rumune e në atë suedeze. Po kështu, në gjuhën suedeze, ka në përkthim e sipër disa përmbledhje.
Poezitë e tij janë përfshirë në disa antologji të poezisë në gjuhën shqipe, si dhe në antologjinë e krijuesve shqiptarë në Suedi me titull "Diell në dritare" (titull ky i marrë nga një poezi e tij) e botuar nga SHB "Rosengård" në Malme më 2000.

Me poezinë "Flutura në erë" është prezentuar në antologjinë botërore të poezisë për mërgimin "Flykten valde oss" të botuar më 1999 në Suedi, ku janë të përfshirë emrat më eminentë të poezisë e të letërsisë botërore si William Shakespeare, Ivan Turgenjev si dhe tre poetë që janë fitues të Çmimit Nobel për letërsi si Pablo Neruda, Nelly Sachs dhe Wislava Szymborska.

Përveç kësaj Rizah Sheqiri punimet e veta në gjuhën suedeze i ka botuar edhe nëpër disa revista e gazeta suedeze dhe është prezentuar në disa antologji. P.sh në monografinë për Ystadin "Ystadiana" 1993, pastaj në antologjinë "Poezia bashkëkohore shqipe - suedisht" e botuar më 2000, në antologjinë suedeze "Väntar på ett tåg som aldrig kommer att avgå" ( Të presësh trenin që kurrë nuk do të niset) botuar më 2001 nga Shtëpia Botuese " Lars Andersson Förlag". Me poezinë "Porosia e nënës" ka fituar në konkursin e poezisë së Botuesit elektronik "Skrivarsidan" dhe pastaj është prezentuar edhe në formë të e-librit, në antologjinë e poezive fituese në konkursin vjetor të poezisë botuar nga Shtëpia Botuese e librit elektronik "Serum" 2001. Me dhjetë poezi Haiku (poezi të miniformatit) është prezentuar në faqet elektronike të poezisë së gazetës së njohur suedeze "Expressen".

Rizah Sheqiri është prezentuar në revistën më reprezentative letrare në Suedi "Artes" nr 4/2001, kjo revistë del katër herë në vit dhe është organ i tri akademive suedeze, i Akademisë Mbretërore, i Akademisë së Arteve, i Akademisë së Muzikës dhe botim i Shtëpisë Botuese "Natur och Kultur". "Artes" publikon krijime letrare nga krijuesit më eminent suedez e botëror. Prandaj prezentimi i poetit tonë Rizah Sheqiri me tetë poezi në faqet e kësaj reviste autoritative është një nder i veçantë që i bëhet poetit tonë dhe poezisë shqipe përgjithësisht. Poezitë shoqërohen edhe me një fjalë paraqitëse të kryeredaktorit dhe me shënimet biografike për poetin tonë dhe për përkthyesin të tij.

R.Sheqiri është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Ai me poezitë e tij është prezentuar në revistën letrare gjermane "Das bot" (Varka) nr.147 të vitit 1999 dhe në nr.150 të vitit 2000, pastaj është prezantuar në revistën FLB (Fliegende Litteratur Blätter) nr. 3 të vitit 2000 botim i Wiesenburg Verlag në Schweinfurt - Gjermani. Pastaj në antologjinë e poezisë në gjuhën gjermane "Capriccio" band 2 Edition Wendepunkt, Weiden - Gjermani 2000, në antologjinë "Almanach 2000" botuar nga "Aktuell - Verlag für Literatur der Gegenwart, Weinstadt - Gjermani. Është prezentuar edhe në nr. 87 të vitit 2000 në revistën austriake për literaturë internacionale "LOG" - Wien.

Në gjuhën angleze është prezentuar në dy numra të revistës letrare "Poetcrit" 2001, që botohet në Maranda të Indisë ku është përfshirë po në gjuhën angleze edhe në antologjinë poetike " Parnassus of World Poets 2001" ku janë përfshirë 250 poetë eminent nga 75 vende të ndryshme të botës.

Rizah Sheqiri merret edhe me përkthime nga suedishtja në gjuhën shqipe. Ka përkthyer disa libra për fëmijë të shkrimtarëve të njohur suedez Per Nilsson dhe Ulf Nilsson, pastaj përmbledhjen e poezive "Ora" të Anders Johanssonit, etj. Ai e ka përkthyer edhe librin për fëmijë "Rruga e gjatë, shumë e gjatë" të shkrimtares Rose Lagerkrantz dhe Ilon Wikland, 5000 ekzemplarë të të cilit libër u janë dhuruar fëmijëve në Kosovë. Ndërsa bashkë me shkrimtarin e njohur suedez Ulf Nilssson kanë përpiluar antologjinë me krijime të fëmijëve "Broar, skatkistor och guld"( Ura, arkathesari dhe ar).

Që nga dhjetori i vitit 1991 R. Sheqiri jeton dhe krijon në Suedi. Është aktiv në jetën kulturore në Suedi, bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat që dalin këtu. Është redaktor në revistën "Besa" dhe bashkëpunëtorë i revistës "Drita", por ka bashkëpunuar edhe me revistën "Qëndresa" dhe "Dëshira" si dhe me gazetën "Lajmëtari". Ka qenë i angazhuar në disa projekte të ndryshme kulturore e informative që janë organizuar në Suedi dhe që për qëllim kanë pasur të bëjnë të njohura vlerat tona kulturore e kombëtare dhe të vërtetën mbi shqiptarët tek opinioni suedez. Po e përmendim projektin e madh kulturor e informativ "Shqiptarët e Kosovës duan Liri" që për moto kishte “Dejtoni - po, po ku mbeti çështja e shqiptarëve?”,etj. Në këtë fushë angazhimi i tij nuk ka munguar asnjëherë duke shkruar artikuj, debatues e informativ, me qëllim që të marrë në mbrojtje çështjen e drejtë shqiptare, luftën e drejtë të tyre për liri e pavarësi. Këtë sidomos e intensifikon gjatë periudhës së luftës në Kosovë, atëherë kur nëpër shtypin suedez paraqiteshin parlamentar, bile edhe anëtarë të delegacionit të OSSE, politikan e intelektual të tjerë që merrnin në mbrojtje pushtuesin serb dhe kështu e margjinalizonin luftën e drejtë të shqiptarëve për liri. Po përmendim vetëm dy reagime të tij ndaj prememories së 172 intelektualëve suedez kundër bombardimeve të Natos, dhe ndaj Karin Wegestål, ish-deputete e parlamentit suedez, e cila u ngrit në një fushat të egër kundër Luftës çlirimtare dhe kundër Uçk-së. Përveç këtyre artikujëve debatues ku ofrohen fakte nga dora e parë mbi Kosovën dhe shqiptarët dhe hudhet poshtë gjithë propaganda pro serbe, R. Sheqiri ka shkruar edhe një varg artikujsh tjerë informativ mbi shqiptarët dhe të vërtetën e tyre, që u janë drejtuar instucioneve shtetrore për të njohur Pavarësinë e Kosovës, për të përkrahur shqiptarët dhe çështjen e tyre.

Rizah Sheqiri shkruan edhe recensione e shkrime publicistike. Veçanërisht ka shkruar mbi veprimtarinë dhe të arritrurat e krijuesëve letrar e figurativ në Suedi.

Punon si mësues i gjuhës amtare dhe ruajtja e kultivimi i gjuhës traditës dhe kulturës shqiptare tek gjeneratat e reja dhe tek fëmijët mërgimtarë kanë qenë dhe janë preokupime të përhershme të tij. Bashk me nxënësit e tij ka organizuar dhjetra manifestime të mëdha kulurore e letrare në të cilat përveç bashkatdhetarëve tanë kanë marrë pjesë edhe shumë vendas. Të gjitha këto aktivitete janë përcjell edhe nga shtypi vendor i cili u ka dhënë një hapsirë tejet afirmative. Me fëmijët dhe për fëmijët ka punuar në shumë mese shqiptare që nga dita e ardhjes së tij në Suedi. Ka punuar me fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në strehimoren e Ystadit gjatë katër muajve të parë të vitit 1992 e muajt në vazhdim të të njëjtit vit ka punuar si mësues në shkollën fillore të Mariannelundit në Mariannelund, pastaj është angazhuar në organizimin e mësimit plotësues në strehimoren e Reslövit dhe në Tomelilla ku organizon një varg aktivitetesh me fëmijë, deri në gusht të vitit 1995 kur punësohet si mësues i rregullt i gjuhës amtare në shkollën "Kungsmarken" të Karlskronës, pastaj në Karlshamn e në Asarum, ku vazhon të punojë edhe më tej.

R. Sheqiri, përveç kësaj është angazhuar vazhdimisht në organizimin dhe ndjekjen e mësimit plotësues në gjuhën amtare të fëmijëve tanë në Suedi. Për këtë problematikë ai ka botuar në revista e gazeta dhe herë pas herë është paraqitur edhe në Radio Suedinë në programin në gjuhën shqipe "Ditari" e tani “ Jehona”, - me disa artikuj që kanë të bëjnë me këtë çështje. Bashkëpunon me Entin Shtetëror për Shkolla të Suedisë dhe është koautor i dy librave shkollorë për nxënësit shqiptarë "Urat tona 1" (1997), "Urat tona 2" 1999 botim i këtij Enti (pra, Skolverket).

Që nga fillimet e vitit 1994 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë. Për vitin 2000 kjo Shoqatë i ndau BURSËN VJETORE PËR KRIJIMTARI. Në vitin 2002 Departamenti për Kulturë i Kuvendit të Komunës së Karlskronës i ndau Çmimin Vjetor për Kulturë. Regjioni i Blekinges(region Blekinge) i ndau poashtu Çmimin për kulturë për vitin 2006, ndërsa "Tema Modersmål" dhe "myndigheten för skolutveckling" i ndanë çmimin"Mësuesi i vitit i gjuhës amëtare 2007".Një nder i madh që i bëhet atij si shkrimtar dhe krijimtarisë së tij letrare në përgjithesi.

Për herë të parë ka marrë edhe çmimin "Kosovë Rexha Bala" nga Festivali Poezisë dhe i Muzikës në Malmö. Rizah Sheqiri gjatë karrierës së tij ka marrë edhe një varg shpërblimesh letrare për poezi e prozë.

Shuquri Sejdijaj

Ftesë për bashkëpunim

Tash si kurr më parë po ndjehet nevoja e komunikimit poetik e letrar ndërmjet krijuesve shqiptarë në Suedi dhe në gjithë vendet nordike. Si nxitje për krijuesit shqiptarë këndej ka shërbyer dhe vazhdon të bëjë kështu Festivali i Poezisë që njëherë në vit mbahet në Malmë të Suedisë, por edhe ndonjë përpjekje tjetër e njerëzve ideal sipas kushteve që ju afron ambienti ku jetojnë dhe punojnë.

Por shqiptarët si komunitet migrues në Suedi ende nuk posedojnë ndonjë gazetë apo revistë të veten të përhershme në nivel vendi. Ndaj duke dashur që sado pak të plotësojmë këto nevoja shumë të mëdha të takimit të letrarve, po nis këtë lloj logu preznetues dhe kuvendues ku do të mund të botojmë poezitë e krijuesve që do të jenë të interesuar ti botojnë punimet e tyre këtu. Logu do të jetë i hapur edhe për krijime tjera letrare, të të gjitha formave të mundshme.

Ideja është që në t´ardhmen kjo ide të rezultojë në një revistë të vërtetë letrare.
Punimet mund ti dërgoni në adresën elektronike: shyqeri@yahoo.com

Shuquri Sejdijaj